Prokuroria Themelore në Pejë pritet që të dërgojë sot kërkesën për paraburgim ndaj pesë të arrestuarve mbrëmjen e së enjtes për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri, në rrugën Klinë-Gjakovë.

Marketing

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi ka thënë për Koha Ditore se katër persona dyshohen për vrasje të rëndë e një për dhënie e ndihmës pas kryerjes së vrasjes. Nga pesë të arrestuarit, katër janë vëllezër dhe tjetri është xhaxhai i tyre.

Dyshimet e para për motivet e vrasjes janë se pala e dëmtuar, ua ka rrahur vëllain të dyshuarve në Itali. Vrasja dhe plagosja ka ndodhur të enjten në mbrëmje në rrugën Klinë – Gjakovë, në fshatin Volljakë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Në orën 20:43, policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vendin e ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, ka thënë Gashi.

Në njoftimin e lëshuar të premten, Policia ka thënë se pesë persona janë arrestuar lidhur me rastin.

“Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit, Fazli Hoxha. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit, pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohen dhe arrestohen pesë të dyshuar në rast: A.G. lindur më 1980, N.G. i lindur më 1992, A.G., i lindur më 1998, B.G., lindur më 1985, dhe B.G., i lindur më 1974. Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Ndërkaq, trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.

Foto: Pixabay (Ilustrim)

Marketing