Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Ambasadoren e Suedisë, Elsa Hastad.

Marketing

Gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet Presidencës Suedeze të BE-së si edhe ndikimin dhe efektet e tyre për Shqipërinë.

Ambasadorja Hastad e informoi Kryetaren Nikolla mbi prioritetet dhe objektivat kryesore të Presidencës Suedeze të BE-së: Siguria, Konkurrenca, Europa e Gjelbër, Demokracia dhe sundimi i ligjit.

Këto prioritete mbajnë parasysh qëndrimet e njohura të Suedisë për çështjet e mësipërme si edhe sfidat aktuale të BE-së, Europës dhe botës për sigurinë dhe paqen.

Ambasadorja Hastad përgëzoi Kryetaren Nikolla për ecurinë e deritanishme të procesit të screening dhe bëri me dije se Suedia do të ndihmojë Shqipërinë në procesin e negociatave, duke pasur në fokus asistencën teknike dhe mbështetjen specifike për reformën zgjedhore, çështjet e mjedisit dhe natyrës dhe aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “kam ndjekur me vëmendje ecurinë e deritanishme të Presidencës Suedeze si objektivat e dimensionit parlamentar të saj, të cilat janë shumë ambicioze dhe premtuese. Shqipëria do të vijojë të jetë në një linjë me qëndrimet e BE-së për çështjet e mprehta të sigurisë dhe paqes, mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës dhe përballimin e sfidave të tjera të zbatimit të këtyre prioriteteve. Shpreh kënaqësinë që integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është një prioritet i Presidencës Suedeze. Kuvendi është duke punuar për përmirësimin e legjislacionit mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, rritjen e përgjegjësive dhe rolit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe Komisionit të Integrimit Evropioan në mbështetjen dhe suksesin e procesit të negociatave. Kuvendi po fuqizon kapacitetet institucionale si edhe bashkëpunimin me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së për të përfituar nga praktikat më të mira në procesin e negociatave të anëtarësimit.”

Marketing