Shkencëtarët kanë identifikuar një marrëdhënie të veçantë mes gjumit dhe mësimit të gjuhëve të huaja, duke theksuar se nuk është rastësi që shohim ëndrra në të cilat flasim një gjuhë të ndryshme nga gjuha jonë amtare.

Marketing

Por pse truri i shpik këto ëndrra “shumëgjuhëshe” dhe çfarë ndikimi mund të kenë ato në aftësitë tona gjuhësore?

“E gjitha ka të bëjë me gjuhën. Ne po mësojmë vazhdimisht fjalë të reja, madje edhe në gjuhën tonë amtare”, thotë profesori i Psikologjisë, i cili drejton Qendrën për Studimin e Gjumit, Gjuhës dhe Kujtesës në Universitetin e York-ut.

Ekspertët theksojnë se kur flemë, njohuritë e reja në thelb përzihen me të vjetrat. Kështu ndodh edhe me fjalët, qoftë në gjuhën tonë amtare apo të huaj.

“Imagjinoni që keni një lloj etikete në kujtimet tuaja. Çdo fjalë e re që mësoni i përket gjithashtu një etikete”, thotë Gareth Gaskell, duke vënë në dukje se ky proces i renditjes së fjalëve në etiketa ndodh kur dikush është në gjumë të thellë.

Mund të mësojmë fjalë të reja ndërsa flemë

Në fakt, ekspertët theksojnë se, përveç përpunimit të informacionit gjatë ditës, truri ynë mund të mësojë edhe fjalë të reja gjatë gjumit.

“Ajo që duhet të keni parasysh është se njerëzit mund të mësojnë fjalë të huaja gjatë gjumit. Megjithatë, procesi është i ndryshëm nga kur jemi zgjuar”, thotë Mathieu Koroma, një studiues postdoktoral në Universitetin e Liege në Belgjikë, i specializuar në gjumë dhe njohje.

Ai gjithashtu përmend se kur flemë mund të dallojmë gjuhën e rreme nga ajo e vërtetë.

Megjithatë, fakti që ne mund të mësojmë pa sforcim një gjuhë të huaj gjatë gjumit nuk do të thotë që sa herë që shkojmë për të fjetur duhet të luajmë një video në një gjuhë të huaj në mënyrë që të mësojmë përmendësh fjalët.

“Diçka e tillë do të na kthente mbrapsht, pasi do të shkaktonte shqetësime në pushimin tonë”, thotë Koroma, duke treguar se në një eksperiment të lidhur pjesëmarrësit mësonin fjalë të huaja shumë më shpejt kur ishin zgjuar sesa kur ishin në gjumë.

“Kur jemi zgjuar jemi vigjilentë dhe ky është një element kyç për të mësuar një gjuhë të huaj. Kështu që të mësosh gjuhë të reja gjatë gjumit nuk është një ide e mirë”, shton ai.

Në çdo rast, ekspertët theksojnë se duhen bërë shumë studime të tjera për të qenë në gjendje të shpjegojmë ëndrrat specifike (në të cilat flasim një gjuhë të huaj). Përpjekja e trurit për të mësuar përmendësh një fjalë edhe kur flemë është mbresëlënëse.

Marketing