Bashkimi Evropian do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, do të godasë përdorimin e saj të kripto-aseteve dhe do të ndalojë eksportet në Rusi të mallrave luksoze të BE-së dhe importin e mallrave të hekurit dhe çelikut, tha kreu i Komisionit Evropian, shkruan swissinfo.

Marketing

Masat e reja përbëjnë një grup të katërt sanksionesh kundër Rusisë që nga pushtimi i saj në Ukrainë, të koordinuara me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të G7, transmeton albora.ch.

“Nesër, ne do të ndërmarrim një paketë të katërt masash për të izoluar më tej Rusinë dhe për të shteruar burimet që ajo përdor për të financuar këtë luftë barbare”, tha Ursula von der Leyen.

Së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë, si Shtetet e Bashkuara, blloku do të revokojë statusin tregtar të “kombit më të favorizuar” të Rusisë. Si hap i parë, BE-ja do të ndalojë importet e mallrave të sektorit të hekurit dhe çelikut.

Von der Leyen tha në një deklaratë, të premten, se të drejtat e anëtarësimit të Rusisë në institucionet kryesore shumëpalëshe, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, do të pezullohen.

“Rusia nuk mund të shkelë rëndë ligjin ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë të presë të përfitojë nga privilegjet e të qenit pjesë e rendit ekonomik ndërkombëtar”, tha von der Leyen.

Aleatët e G7 do të kërkojnë javën e ardhshme të koordinojnë shënjestrimin e “miqve” të Putinit dhe do të përpiqen të sigurojnë që Rusia dhe elitat e saj të mos përdorin kripto-asetet për të anashkaluar sanksionet.

Bashkimi Evropian në mënyrë specifike do të ndalojë eksportet në Rusi të mallrave luksoze të BE-së, të dizajnuara si një goditje për elitat ruse.

Së fundi, blloku do të ndalojë investimet e reja evropiane në sektorin energjetik të Rusisë.

“Ky ndalim do të mbulojë të gjitha investimet, transferimet e teknologjisë, shërbimet financiare, etj. për eksplorimin dhe prodhimin e energjisë – dhe kështu do të ketë një ndikim të madh te Putini”, tha von der Leyen. /albora.ch/

Marketing