Shteti zviceran vazhdon të jetë një nga aleatët më të fuqishëm të vendit tonë. Zvicra ka qenë dhe është një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës.

Marketing

Në një intervistë ekskluzive për albora.ch z.Sami Ukelli, Ambasadori i Kosovës në Zvicër, ka folur për çështje të rëndësishme, duke përfshirë këtu luftën ndaj pandemisë, karrierën e tij si diplomat, imazhin e shqiptarëve në diasporë, investimet e shtetit zviceran, dhe kontributet e shqiptarëve në Zvicër.

Ukelli theksoi se ideali për të ndihmuar Kosovën ka qenë shtysa personale e tij që të bëjë këtë detyrë e të jap kontributin në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Gjatë intervistës ambasadori Ukelli ripërsëriti se ëshë përjetësisht mirënjohës për kontributin që ka dhënë diaspora, dhe se Zvicra ka mbështetur në vazhdimësi përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të suksesshëm.


ALBORA.CH: Përshëndetje zotëri Ambasador, keni bërë karrierë të gjatë në diplomaci, keni punuar në Austri e Japoni dhe Hungari, tash po shërbeni si ambasador në Zvicër, cili është dallimi mes këtyre shteteve dhe ku jeni ndjerë më mirë dhe cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni ballafaquar?

Sami Ukelli: Diplomacia është e tillë që duhet të lëvizësh nga vendi në vend. Si Ambasador në çdo shtet je udhëheqës i misionit dhe i ke në parim funksionet e njejta diplomatike por që pastaj ndërthuren shumë edhe me objektivat dhe karakteristikat e shtetit pritës. Secilit shtet duhet qasur në mënyrë të veçantë. Të gjitha këto shtete ku kam shërbyer llogariten si shtete mike të Kosovës dhe kjo më ka bërë të ndjehem mirë kudo që kam shërbyer. Së pari kam shërbyer në Japoni ku është dashur të themeloj misionin diplomatik e që padyshim ka qenë sfidë unike nga vendet tjera. Për dallim nga Japonia ku ka pasur pak shqiptarë, kalova në Hungari ku ishte një komunitet i vogël prej disa mijëra, në Austri një numër relativisht shumë më i madh, por që krahasuar me Zvicrën, ku në proporcion me popullatën vendore e kemi komunitetin më të madh në diasporë. Kurse sa i përket vështirësive e punës dhe angazhimeve, këtë herë do doja më shumë te fokusohemi tek vendi ku shërbej.

ALBORA.CH: Si ka filluar karriera si ambasador, sa ka qenë e vështirë duke e llogaritur që Kosova është shtet i ri dhe kemi pak përvojë në diplomaci. Si e keni marrë ftesën për ambasador për herë të parë?

Sami Ukelli: Me shpalljen e pavarësisë, erdhi procesi i themelimit të Ministrisë së Jashtme e me këtë edhe të misioneve diplomatike, me te cilin rast është hapur edhe konkursi për diplomatë për shërbimin e jashtëm dhe Ambasadorë të Kosovës. Dhe pikërisht ideali për të ndihmuar shtetin e ri me gjithë qenien e energjinë ka qenë ajo shtysa personale e imja dhe kolegëve që të bëjmë këtë detyrë fisnike e të japim kontributin në ndërtimin e shtetit të Kosovës – përkundër rrethanave shumë të komplikuara e vështirësive nëpër të cilat kemi kaluar e po kalojmë.

ALBORA.CH: Tashmë imazhi i shqiptarëve ka ndryshuar, kemi mjek, futbollistë e biznesmen të suksesshëm në gjitha shtetet, sidomos në Zvicër dhe Gjermani, a ua lehtëson kjo punën juve si ambasador?

Sami Ukelli: Shembujt e suksesit të shqiptarëve të gjeneratave të ndryshme janë aq të shumtë sa që tani janë vështirë të përmenden pa harruar ndonjë padashje. Kjo ndodhë kudo që janë shqiptarët, jo vetëm në Zvicër apo Gjermani. Profesorë, mjekë, gastronomë, punëtorë krahu e shërbyes të ndershëm, ndërtimtarë, sportistë, artistë e literalisht në secilin profesion e zanat, përcjellin imazhin e Kosovës në mjedisin ku punojnë e jetojnë përmes shembujve të suksesit të treguar, kosovarët promovojnë vlerat tona dhe shërbejnë si urë lidhëse mes Kosovës dhe vendit ku ata veprojnë.

ALBORA.CH: Sa ka ndryshuar imazhi për shqiptarët?

Sami Ukelli: Duhet pranuar se stereotipet janë normale ndërmjet komuniteteve kur nuk ka njohje më të thellë, por tani më janë bërë disa dekada nga ardhjet në numër më të konsiderueshëm të shqiptarëve në Zvicër. Njohja dhe integrimi i mirë i shqiptarëve në Zvicër ka bërë që imazhi i tyre sot të jetë kryesisht pozitiv, dhe për këtë përveç komunitetit tonë, kontribut ka ne një masë edhe vet shteti i Zvicrës me politikën e saj integruese dhe hapësirën që i jep komunitetit shqiptar.

ALBORA.CH: Cila është gjendja e komunitetit shqiptar në Zvicër, me çfarë probleme ballafaqohen kosovarët që jetojnë në Zvicër?

Sami Ukelli: Diaspora jonë kudo që është, në këtë rast në Zvicër përherë ka pasur lidhjen e pashkëputshme me vendin e origjinës, duke bashkëndjerë dhe marrë pjesë aktivisht në gjitha proceset nëpër të cilat kalojnë familjarët e tyre në Kosovë dhe në përgjithësi Kosova. Kjo u dëshmua edhe në verën e vitit të kaluar, kur si rezultat i përmallimit për vendin e tyre, u shënuan shifra rekorde të shkuarjes në Kosovë, rrjedhimisht kontributit financiar për vendin. Prandaj, është një aktivitet i vazhdueshëm paralel i diasporës për tu integruar në shoqërinë zvicerane dhe njëkohësisht për ti ruajtur traditat dhe lidhjet e tyre me Kosovën. Një ndarje e tillë në dysh sigurisht që i merr shumë energji dhe preokupim komunitetit tonë. Një gjë duhet të jetë e qartë përgjithmonë: I jemi përjetësisht mirënjohës për kontributin që ka dhënë diaspora për popullin kosovar e shtetin e tyre më të ri në Europë!

ALBORA.CH: Çka konsideroni si arritje më të madhe në karrierën e juaj të gjatë si diplomat?

Sami Ukelli: Është nder të i shërbesh shtetit si diplomat. Si Ambasador, vetë fakti se kam mundësinë të jem përfaqësuesi me i lartë i Kosovës në një shtet tjetër, është nderi dhe arritje e madhe. Megjithatë mendoj se për të arriturat në karrierën time është akoma herët për të biseduar. Për këtë temë do doja të kem mundësinë për të biseduar pas 5 ose 10 vjetëve.

ALBORA.CH: Gjermania ka njohur patentë shoferët e Kosovës, a mund të ndodh kjo edhe nga Zvicra në të ardhmen?

Sami Ukelli: Për kosovarët që jetojnë në Zvicër iu lejohet vozitja me patentë-shofer të Kosovës deri në 12 muaj pas ardhjes në vend nëse janë me qëndrim të përhershëm, pastaj duhet të bëhet përkthimi i tij sipas rregullave të shtetit. Edhe Zvicrës i është dërguar kërkesa për një marrëveshje të tillë, siç është bërë edhe me shumë shtete dhe presim të marrim një përgjigje për këtë çështje.

ALBORA.CH: Si e shihni kontributin e shtetit zviceran për zhvillimin e shtetit të Kosovës?

Sami Ukelli: Kontributi i Zvicrës në Kosovë daton që herët nga koha e përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi, më vonë me ndihmë humanitare, pastaj asistencë zhvillimore në ngritjen e kapaciteteve njerëzore e institucionale që po vazhdon edhe sot. Zvicra ka mbështetur në vazhdimësi përpjekjet tona për ndërtimit e një shteti demokratik dhe të suksesshëm. Nëpërmjet një sërë programesh Zvicra aktivisht angazhohet në Kosovë në fusha të ndryshme si në drejtësi, arsim, ekonomi, shëndetësi dhe është mbështetëse e agjendës ndërkombëtare të Kosovës.

ALBORA.CH: Në bazë të dhënave që i keni ju, sa është shifra i investimeve edhe në çka saktësisht është investuar më së shumti.

Sami Ukelli: Bashkëpunimi Kosovë-Zvicër në fushën e ekonomisë është njëra nga fushat ku ka hapësirë të fokusohet energjia e punës dhe nga viti në vit po shënojmë rritje të shkëmbimit tregtar Zvicër-Kosovë. Aktualisht Kosova në Zvicër shënon rritje në eksportin e industrisë së drurit dhe atë të shërbimeve, me një potencial në ngritje të vazhdueshme. Jo rastësisht Zvicra është ngritur si investitori i dytë në Kosovë, por edhe është vendi i dytë nga ku shkojnë eksportet më të mëdha të Kosovës edhe pse akoma në shifra të ulta. Importet zvicerane nga Kosova, me vlerë 40.6 milionë CHF, janë rritur ndjeshëm në vitin 2020 (+23.5%, madje +36.5% sipas doganave kosovare). Kështu, Zvicra në vitin 2020 ishte renditur në vendin e katërt në mesin e vendeve  eksportuese të Kosovës. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës në total 545 milionë euro investime direkte kanë shkuar në Kosovë nga Zvicra në periudhën 2008-2020 dhe është në vendin e dytë, pas Gjermanisë. Investimet zvicerane në Kosovë kryesisht realizohen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët e mëposhtëm: banka dhe sigurime, IT dhe shërbimet offshore, përpunimi i ushqimit, makineri dhe turizëm.

ALBORA.CH: I nderuar, sa keni arritur që biznesmenët kosovar që janë atje t’i shtyni që të investojnë në Kosovë?

Sami Ukelli: Investimet nga Zvicra në Kosovë janë në rritje dhe gama e sektorëve ku po investohet është e gjërë por padyshim që ekziston një potencial edhe më i madh dhe punë që duhet bërë. Në mesin e këtyre investimeve nga Zvicra në Kosovë shumica vijnë nga diaspora jonë e që padyshim e forcon lidhjen e tyre me Kosovën edhe në këtë dimension.

ALBORA.CH: Ka pas edhe shumë debat në Zvicër sa i përket mosvaksinimit të shqiptarëve në Zvicër, pse konsideroni që kanë hezituar?

Sami Ukelli: Mendoj që debati më shumë ka ardhur nga media të ndryshme dhe nuk ka qenë çështje e diskutimit në institucione. Ajo ishte e panevojshme. Virusi nuk e ka origjinën as në Zvicër e as në Kosovë. Nuk është e mundur të ndalohet një virus, siç mund ta shohim askund. Hudhja e fajit nuk ndihmon aspak. Statistikisht shkalla e mosvaksinimit nuk rezulton të jetë më e përhapur te komuniteti shqiptar në Zvicer se te ndonjë tjetër. Ambasada përmes bashkëpunimit me shumë shoqata e personalitete shqiptare në Zvicër kanë bërë vazhdimisht thirrje për vaksinim e cila në përgjithësi është pranuar dhe pritur mirë.

ALBORA.CH: Është diskutuar qe një kohë të gjatë që diasporës të u mundësohet që të votojnë nëpër konsullata, a jeni pro kësaj ideje?

Sami Ukelli: Sa i përket votimit nga diaspora, një pjesë e shteteve e aplikojnë metodën si e kemi ne nëpërmjet postës, ndërsa disa të tjera votimin në Ambasadë apo Konsullata. Teknikisht nuk është e pamundur të realizohet, por më shumë është çështje e institucioneve në Kosovë, gjegjësisht Kuvendit çfarë vendimi merr. Ne rast se mirret një vendim i tille, Ambasadat e Konsullatat e Republikës së Kosovës në diasporë janë obliguara të merren me implementimin e kësaj çështje dhe të ofrojnë mundësinë e votimit të diasporës.

ALBORA.CH: Faleminderit për mundësinë, shëndet..

Sami Ukelli: Faleminderit ju! Gjithashtu shfrytëzoj rastin që përmes platformës tuaj albora të përcjell mesazhin tim të urimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës tek lexuesit tuaj e dhe tek të gjithë kosovarët, shqiptarët dhe miqtë e Kosovës!/albora.ch/

Marketing